giovedì 23 febbraio 2012

KODI ETIK I AVOKATIT


KODI ETIK I AVOKATIT 



HYRJE 



Të ndërgjegjshëm për rolin dhe detyrën e avokatit në një shoqëri demokratike, të bazuar ë parimet e shtetit ligjor, të humanizmit dhe dinjitetit njerëzor, me respekt ndaj të vërtetës dhe drejtësisë, hartohet Kodi Etik i Avokatit. 



NATYRA E RREGULLAVE DHE SJELLJES PROFESIONALE 



Normat e Kodit Etik bazohen në: 



1. Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë 
2. Marrëveshjet Ndërkombëtare të Ratifikuara 
3. Legjislacionin në fuqi dhe vecanërisht Ligji nr.9109 datë 17.7.2003 “Për Profesionin e  
    Avokatit në  
    Republikën e Shqipërisë” 
4. Statuti i Dhomes Kombetare te Avokateve te Shqiperise 
5. Zakonet dhe Traditën e profesionit të avokatit në Shqipëri. 






Funksioni i Avokatit mbështetet mbi një shumëllojshmëri detyrimesh ligjore dhe morale kundrejt 



1) Klientit 
2) Gjykatës dhe autoriteteve të tjera përpara të cilave avokati mbron çështjet e klientit ose 
     vepron për 
     llogari  të tij. 
3) Dhomës së Avokatisë në përgjithësi dhe çdo anëtari të saj në mënyrë të veçantë 
4) Publikut, për të cilin ekzistenca e nje profesioni të lirë, të pavarur dhe vetë organizuar është 
     një mjet     
     themelor për ruajtjen e të drejtave të njeriut përballë fuqisë së shtetit dhe interesave të tjera 
     në shoqëri. 




QËLLIMI I KODIT ETIK 



Kodi synon të trajtojë vendosjen, respektimin dhe zbatimin e rregullave të sjelljes, të etikës profesionale të avokatit në shërbim të mbrojtjes të të drejtave dhe interesave legjitime të klientit dhe në shërbim të interesave të drejtësisë. 





KAPITULLI I 

PARIMET E PËRGJITHSHME 



PAVARËSIA E AVOKATIT 



Neni 1 



Avokati është i pavarur në ushtrimin e profesionit të tij. 




Për të siguruar pavarësinë avokati duhet të jetë i lirë nga çdo ndikim që mund të lindë nga interesat e tij personale ose nga presioni i jashtem. 



Neni 2 



Avokati në ushtrimin e profesionit vepron në përputhje me ligjin, Statutin, Kodin e Etikës dhe interesat e ligjshme të klientit duke i ofruar atij shërbimet profesionale të mbështetura në gjykimin e tij më të mirë. 



Neni 3 



Pavarësia e avokatit është aq e nevojshme për të besuar në proçesin e drejtësisë sa edhe paanshmëria e gjygjtarit. 



Avokati duhet të shmangë çdo cënim të pavarësisë së tij dhe të mos kompromentojë standartet profesionale për të kënaqur klientin, gjykatën apo të tretët. 



DINJITETI I PROFESIONIT 



Neni 4 



Avokati gjithnjë duhet të ruajë dinjitetin e profesionit. 


Avokati detyrimisht mban të ekspozuara në zyrën e tij. 

 - Çertifikaten e titullit “Avokat” 

 - Flamurin shqiptar dhe atë të Dhomës Kombëtare të Avokatëve në tavolinën e punës 

 - Tarifen minimum të shpërblimit të punës së avokatit. 



Avokati nuk duhet të bëjë deklarata fyese ose përbuzëse për aktivitetin apo vendimet e gjykatave apo autoriteteve të tjera. 



Avokati duhet të nxisë edhe klientin që të sillet me respekt ndaj gjykates apo autoriteteve te tjera. 



Për të ruajtur reputacionin e mirë të vetes dhe Dhomës së Avokatëve, avokati nuk duhet të tolerojë sjellje jo korrekte dhe me mungesë respekti nga ana e gjykates dhe kujtdo tjetër kundrejt vetë avokatit, asistentit, nxënësit apo klientit. 



Kultura e përgjithshme dhe ajo juridike e avokatit duhet të manifestohet në çdo moment gjatë ushtrimit të profesionit, në paraqitjen e tij, në fjalët që mban dhe në mardhëniet që krijon me këdo. 



Avokati paraqitet ne proçesin e gjykimit me kartën e identitetit për çdo vit dhe uniformën e avokatit. 




Avokati nuk mund të përfshihet në veprime që kanë të bëjnë me pandershmërine apo keq përfaqesimin. 



Avokati, në praktikë dhe në jetën e tij private, duhet të qëndrojë larg çdo sjelljeje, e cila mund të zhvlerësojë emrin e mirë të profesionit. 



PËRKUSHTIMI DHE AFTËSITË 



Neni 5 



Avokati në çdo kohë duhet të veprojë me përkushtim dhe gatishmëri kur përfaqëson një klient. 



Neni 6 



Avokati ka për detyrë t’u shërbejë interesave të klientit në mënyrën më efikase të mundur. 



Neni 7 



Avokati duhet të ofrojë përfaqësim cilësor të klientit. Aftësia përfshin njohuritë ligjore dhe aftësitë profesionale të cilat janë të nevojshme në çdo rast konkret. 



Neni 8 



Avokati nuk duhet të trajtojë një çështje për të cilën ai nuk ka aftësitë e nevojshme perveç se kur bashkëpunon me një avokat i cili është kompetent për ta trajtuar atë. 



Neni 9 



Avokati ka për detyrë të zhvillojë aftësitë e tij nëpërmjet përgatitjes së vazhduar profesionale. 



VEPRIMTARI DHE PUNËSIME TË PAPAJTUESHME 



Neni 10 



Me qëllim kryerjen e funksioneve të tij me pavarësinë e duhur dhe në një mënyrë të pajtueshme me detyrën e tij për të marrë pjesë në administrimin e drejtësisë, avokati duhet të përjashtohet nga disa veprimtari. Llojet dhe numri i këtyre veprimtarive përcaktohen në Ligjin Nr. 9109 date 17.7.2003 “Për Profesionin e Avokatit në Republikën e Shqipërisë”. 



Një avokat që punon më vete ose në partneritet nuk duhet të përfshihet në asnjë veprimtari tjetër nëse, duke vepruar kështu mund të cënohet pavarësia. 

Neni 11 




Avokatit i ndalohet të formojë ortakeri me një person që nuk është avokat në rast se veprimtaria e ortakerisë përbëhet nga ushtrimi i avokatisë. 



Neni 12 



Avokati nuk duhet të ndihmojë një jo avokat për të ushtruar një profesion jo të autorizuar. 



Neni 13 



Avokati ose zyra e avokatisë nuk ndan tarifa ligjore me një person që nuk është jurist. 



Avokati nuk mund t’i kerkojë, pranojë apo paguajë një avokati tjetër, ose një personi tjeter tarifë apo çdo lloj tjetër shpërblimi për dergimin apo rekomandimin e një klienti. 



KONFIDENCIALITETI 



Neni 14 



Konfidencialiteti që buron nga ligji dhe normat e etikës profesionale është e drejtë, detyrim dhe garanci për avokatin. Avokatit për shkak të informacionit të veçante që merr nga klienti në kushtet e mirëbesimit nuk i lejohet të shkelë kërkesat e Nenit 9 të Ligjit “Për Ushtrimin e Profesionit të Avokatit në Republikën e Shqipërisë” 



Avokati duhet të ruaje konfidencialitetin e të gjithë informacionit të dhënë nga klienti i tij ose të marrë prej tij, rreth këtij klienti ose të tjerëve, gjatë kryerjes së shërbimeve për klientin. 



Detyrimi për ruajtjen e konfidencialitetit nuk është i kufizuar në kohë. 



Avokati duhet t’iu kërkojë ortakëve dhe stafit të tij dhe gjithkujt tjetër të angazhuar prej tij gjatë ofrimit të shërbimeve profesionale të ruajnë konfidencialitetin. 



Detyrimi i konfidencialitetit nuk shkelet kur: 



a) Avokati informon një person të cilit ai është duke i deleguar detyrat individuale për shërbime 
    ligjore mbi ecurinë e çështjes në fjalë, me kusht që edhe një person i tillë t’i nënshtrohet 
    detyrimit të konfidencialitetit.

b) Tregon konfidenca ose sekrete me pëlqimin e klientit ose të klientëve në fjalë, por vetëm 
     pasi t’ua tregojë plotësisht atyre këtë gjë. 


 d) Tregon konfidenca ose sekrete të nevojshme për të caktuar ose marrë pagesen e `avokatit 
     ose për të mbrojtur avokatin ose nëpunësit e tij ose ortakët kundër një akuze për sjellje të 
     gabuar. 





KAPITULLI II 


MARRËDHËNIET ME KLIENTËT 



Neni 15 



INTERESAT E KLIENTIT 



Avokati duhet të veprojë gjithnjë për interesat më të larta të klientit të tij. Marredhenia e besimit me klientin eshte detyrim profesional. Besimi arrihet kur avokati karakterizohet nga ndeshmeria dhe integriteti. 



Neni 16 



DETYRA PËR TË INFORMUAR KLIENTIN 



Avokati duhet t’i shjegojë klientit ligjin dhe linjën e veprimit që ai do të ndjekë duke evidentuar pasojat e mundshme ligjore në favor ose në disfavor te tij. Avokati duhet t’i pergjigjet kerkesave të arsyeshme të klientit për informacion. 



Avokati duhet të informojë klientin e tij rreth çështjeve të rëndësishme që kanë të bëjnë me përfaqesimin në kohë me qëllim që klienti, në mënyrë të arsyeshme, të mbrojë veten, ose të shfrytëzojë një mundësi të ofruar nga ligji, duke perfshirë edhe çdo zgjidhje të ofruar nga pala tjeter. 



Neni 17 



KTHIMI I DOKUMENTAVE 



Me kërkesën e klientit te tij, avokati duhet t’i kthejë çdo dokument origjinal të marrë nga klienti për shkak të përfaqësimit të tij. 



Neni 18 



PASURITË DHE FONDET E KLIENTIT 



Avokati, me miratimin e klientit mund të hyjë në administrim të pasurive të klientit dhe fondeve të tij që mund të jenë të depozituara në bankë. 



Për këto fonde dhe pasuri të klientit, avokati mban dokumentacion të plotë për veprimet e kryera. Dokumentacioni ruhet për një periudhë kohe prej 7 vjetësh duke filluar nga perfundimi i përfaqësimit të çështjes. Për çeshtjet penale ky afat fillon nga momenti i perfundimit te vuajtjes se denimit. 



Fondet mbahen në llogari të veçantë në vendin ku ndodhet zyra e avokatit ose në një vend tjetër ku për këtë ka miratim nga klienti. 






Neni 19 



Për marrjen e fondeve apo çdo pasurie tjetër në pronësi të klientit, avokati detyrohet të njoftojë klientin. 



Avokati duhet të mbajë të ndara fondet e klientit nga fondet e tij. 





Me kërkesën e klientit, avokati i kthen menjëherë atij të gjitha fondet ose pasuritë dhe me iniciativën e tij apo me kërkesë të klientit, bën kontabilizimin e plotë në lidhje me këtë pasuri. 





Neni 20 



KONFLIKTI I INTERESAVE 



Avokati nuk mund te japë ndihmë juridike, të këshillojë, të përfaqësojë apo mbrojë në emër te dy ose më shumë klientëve në të njëjtën çështje, në rast se ka konflikt interesash të atyre klientëve midis tyre. 



Neni 21 



Avokati nuk përfaqëson dhe heq dorë nga perfaqesimi apo mbrojtja e dy ose më shumë personave, kur lind nje konflikt interesash midis klientëve, kur avokati bindet se përfaqësimi do të cënojë marrëdhëniet me klientin tjetër. 



Neni 22 



Avokati që më parë ka përfaqesuar një klient në një çeshjte, nuk përfaqëson një klient tjetër në të njëjtën çështje, kur interesat e këtij personi u sjellin dëm interesave të klientit të mëparshëm. 

Përfaqësimi lejohet përjashtimisht, vetëm në rast se klienti i mëparshëm jep pëlqimin e tij. 



Neni 23 



Avokati duhet gjithashtu të tërhiqet nga përfaqësimi ose mbrojtja në rast se ekziston rreziku i shkeljes të besimit të klientit të mëparshëm, ose në rast se njohja që zotëron avokati për çështjen e klientit të mëparshem, do të përbënte epërsi të padrejtë për klientin e ri. 

Rregulli i mësipërm është i barazvlershëm edhe për rastin kur profesioni i avokatit ushtrohet në ortakëri, apo nga e njëjta zyrë. 








Neni 24 



Avokati nuk duhet të përfshihet në transaksione biznesi me një klient nëse ai dhe klienti kanë interesa të ndryshme si dhe kur klienti pret nga avokati që ai ta ushtrojë gjykimin profesional për mbrojtjen e klientit, perveçse kur: 

1) transaksioni dhe kushtet në te cilat avokati ka fituar interesa janë të drejta, të arsyeshme për   
    klientin dhe i janë deklaruar në mënyrë të plotë dhe transmetuar me shkrim në një mënyrë që 
    të kuptohet si e arsyeshme nga ana e klientit; 

2) Avokati këshillon klientin të kërkojë këshillat e një avokati të pavarur lidhur me transaksionin; 
    

3) Klienti jep miratimin e tij me shkrim, mbas deklarimit të plotë të kushteve të transaksionit 
    dhe të konfliktit të qenësishëm të interesit në këtë transaksion. 



Neni 25 



Avokati duhet të mos punojë për një klient të ri nëse ka rrezik të shkelen konfidencat që i janë besuar avokatit nga një ish klient ose nëse njohuritë jane përfituar si rezultat i punësimit të mëparshem si një punonjës shtetëror. 



Neni 26 



NDËRPRERJA E PËRFAQËSIMIT DHE E MBROJTJES 



Avokati mund të ushtrojë të drejtën e tij për të hequr dorë nga përfaqësimi apo mbrojtja. 



Avokati tërhiqet nga përfaqësimi apo mbrojtja kur klienti nuk arrin të përmbushë detyrimet juridike, morale dhe financiare ndaj avokatit në lidhje me shërbimet e tij dhe kur më parë është paralajmëruar nga avokati që do të tërhiqet në rast se detyrimet nuk përmbushen. 



Neni 27 



Me ndërprerjen e përfaqesimit apo të mbrojtjes, avokati në marrëveshje me klientin, merr masa që ai i vlerëson të arsyeshme për mbrojtjen e interesave të klientit duke e njoftuar atë në kohë të përshtatshme, por gjithnjë jo më pak se 15 ditë, për t’i dhënë atij mundësinë të gjetjes së një avokati tjetër. 



Neni 28 



TARIFAT 



1) Avokati ka të drejtë të kete një tarife për shërbimet e tij. Tarifa duhet të përcaktohet në një 
    marrëveshje me shkrim ndërmjet avokatit dhe klientit të tij. Në mungese të marrëveshjes me 
    shkrim tarifa duhet të përcaktohet në përputhje me normat e tarifave të parashikuara nga 
    “Tarifa e Sherbimeve juridike te Avokateve”, te miratuara nga Dhoma Kombëtare të 
    Avokatisë . Në te dy rastet, tarifa nuk duhet të jetë më e ulet se ajo minimale, e përcaktuar 
    në normat e tarifave për këtë lloj shërbimi. 

2) Tarifa e një avokati duhet të jetë e arsyeshme dhe e drejtë. Faktorët që duhet të      
     konsiderohen për të përcaktuar se sa e arsyeshme është një tarifë përfshijnë: 

a) koha dhe puna e kërkuar, risia dhe vështirësia e çështjeve të përfshira dhe aftësite e 
     kërkuara për të kryer shërbimet ligjore; 

b) kufizimet kohore të imponuara nga rrethanat; 

c) natyra dhe kohëzgjatja e marrëdhënieve profesionale me klientin; 

d) përvoja, reputacioni dhe aftësia e avokatit ose avokatëve, në kryerjen e shërbimeve; 

dh)si dhe faktore te tjere te cmuar nga ai: 



3) Avokati nuk duhet të ketë të drejtë të bëjë një pactum de quota litis. Me “pactum de quota     
    litis” kuptohet një marrëveshje e arritur përpara përfundimit të çeshtjes, e cila përcakton 
    tarifat që duhet t’i paguhen avokatit vetëm për rezultatet e arritura dhe në të cilën klienti merr 
    përsiper t’i paguaje avokatit një pjesë të rezultatit të arritur. 



4) Avokati lejohet të përcaktojë ‘tarifat e rezultateve” me përjashtim të çeshtjeve të së drejtës 
    familjare ose penale. Me “tarifa të rezultateve” kuptohen: 

a) Marrëveshjet me shkrim ndërmjet avokatit dhe klientit, sipas të cilit avokati merr përsipër të 
     fillojë një çështje ose rast sipas tarifave minimale të përcaktuara dhe klienti bie dakort të 
     paguajë një shumë të arsyeshme fikse në varësi të rezultateve pozitive të tij. 
     Sasia mund të përkufizohet si shumë totale ose si një përqindje e parave të përcaktuara 
     nga vendimi i gjyqit. 

b) Marrëveshja me shkrim ndërmjet avokatit dhe klientit sipas të cilës avokati merr përsipër të 
     fillojë një çëshjte ose rast me tarifen minimale të përcaktuar dhe klienti bie dakort të 
     paguaje tarifa të tjera shtesë për rezultatin pozitiv. 



5) Avokati mund të ofrojë ndihmë ligjore falas për: 

a) personat që janë në vështirësi financiare; 

b) personat që mbështeten me ndihmë financiare; 



6) Avokati mund të ofroje shërbime pa pagesë për miqtë e ngushte, të afërmit ose avokatë 
    të tjerë. 



Neni 29 



TËRHEQJA E PËRFAQËSIMIT 



1) Avokati nuk duhet të tërhiqet nga një perfaqësim i ndërmarrë, perveçse kur ka shkaqe 
    të arsyeshme, siç janë midis te tjerash: 

a) Mbingarkesa ose njohuri të pamjaftueshme në një fushë të veçantë ligjore; 

b) Pandershmëria e arsyeve të klientit për të kërkuar asistencë ligjore; 

c) Kur klienti insiston që avokati të ndërmarrë veprime të cilat janë në kundërshtim me ligjin 
    ose me kodin e etikës; 

d) Kur klienti insiston që avokati të ndërmarrë veprime që janë në kundërshtim me vlerësimin e 
     tij professional; 


e) kur klienti nuk mund të paguajë për asistencën ose nuk përmbush detyrimet kontraktuale për 
     pagesën e asistences tashmë të ofruar; 



2) Avokati nuk mund të ushtrojë të drejtën e tij për t’u tërhequr nga një çështje në mënyrë ose 
    në rrethana të tilla në të cilat klienti mund të mos jetë në gjendje të sigurojë në kohë 
    asistencë ligjore. 



KAPITULLI III 



MARRËDHËNIET ME GJYKATËN 



Neni 30 



Avokati duhet të sillet me respekt, ndershmëri dhe integritet kundrejt gjykatës në funksion të përfaqësimit e mbrojtjes të interesave të klientit të tij brenda kufijve të caktuar nga ligji dhe kodi etik. 



Neni 31 



Avokati asnjëherë nuk duhet të kërkojë të ndikojë tek gjykata me mjete të ndaluara nga ligji, si dhe të kryejë sjellje që synojnë të prishin solemnitetin e gjykimit ose vetë gjykimin në themel të tij. 



Neni 32 

Avokati nuk mund t’i japë dhuratë, hua ose sende me vlere, një gjyqtari, apo një nëpunësi të gjykatës. 



 Keshilli Drejtues I Dhomes Kombetare e Avokateve mund të miratojë kërkesën e avokatit për 
 të bërë një përjashtim nga ky rregull, në raste të veçanta. 



Neni 33 

Avokatit i ndalohet të paraqitet për të përfaqësuar interesat e klientit, para një gjyqtari me të cilin avokati është i lidhur ngushtë ose ka marrëdhënie intime. 



Neni 34 



Avokati nuk duhet të japë asnjeherë, me dijeninë e tij, informacion të rremë ose ç’orientues gjatë proçesit gjyqësor. 



Avokati asnjëherë nuk duhet të nxisë një dëshmitar që të bëjë një dëshmi të rremë. 



Avokati asnjëherë nuk duhet të shkaktojë shtyrje të parsyeshme në seancat gjyqësore. 



KAPITULLI IV 



MARRËDHËNIET NDËRMJET AVOKATËVE 




Neni 35 



Marrëdhëniet ndërmjet avokatëve duhet të mbështeten në parimet e bashkëpunimit, ndërshmërisë dhe konfidencialitetit në interes të klientëve të tyre. 





Neni 36 



Avokati duhet t’i njohë avokatët e Dhomës Kombëtare dhe të reflektojë ndaj tyre mirësjellje e qendrime korrekte në përputhje me normat e etikës profesionale. 



Neni 37 



Avokati, për një çështje të veçantë mund të komunikojë me avokatin e palës tjetër. 

Nuk i lejohet avokatit që për çështjen konkrete të komunikojë me palën kundërshtare, kur di se përfaqësohet nga një avokat, pa pëlqimin e këtij të fundit. 



Neni 38 



EMRI I AVOKATIT 



Avokati që heq dorë përkohësisht nga ushtrimi i profesionit të tij për aq kohë sa është në marrëdhënie pune me adminisratën publike, nuk duhet të lejojë që emri i tij/saj të qendrojë në emrin e zyrës së avokatisë ose të përdoret në njoftimet profesionale të zyrës gjatë periudhës në të cilën avokati nuk merr pjesë aktivisht dhe rregullisht në zbatim të ligjit si anëtar i zyrës. 



Neni 39 



SJELLJA E DREJTË NË PROÇEDURAT GJYQËSORE 



Në proçedurat gjyqësore me pale kundërshtare, me qellim që të gjitha palët dhe avokatet të kenë akses në gjykatë në mënyrë të barabartë, avokati nuk duhet që pa njoftimin e palës tjetër ose avokatit te saj, të kontaktojë ose të japë dokumenta ose materiale gjykatës lidhur me një çështje në shqyrtim ose që do të sillet për gjykim, në rrethana që mund te kenë efektin ose që mund të japin përshtypjen e një dhënie përparësie të padrejtë për njerën palë. 



Kjo dispozite nuk do të aplikohet për çeshtje kur veprime të tilla janë të lejuara nga ligji. 



Neni 40 



NDARJA E PAGESAVE 




Avokati i cili ka marrë përsipër të përfundojë çeshtjet ligjore të papërfunduara të një avokati që ka vdekur, duhet t’i paguajë trashëgimtarëve të avokatit të vdekur, atë pjesë të pagesës totale, që në mënyrë të drejtë përfaqëson shërbimet e kryera nga avokati i vdekur. 



Avokati mund t’ju paguaje asistentëve të tij të cilët nuk janë avokat pagën, sigurimin shoqëror dhe pagesa të tjera të ngjashme edhe nëse fondet burojnë nga tarfiat e avokatit. 



 Neni 41 



DEKLARIME TË NDALUARA 



Avokati nuk duhet të krahasoje shërbimet e ij me shërbimet e avokatëve të tjerë. 



Avokati nuk duhet të komentojë avokatët e tjerë për tarifat e veçanta ose për mënyren e ushtrimit të profesionit. 



Avokati që kryen përfqësimin e një klienti i cili ka qënë përfaqësuar më parë nga një avokat tjetër nuk duhet të kritikojë shërbimet e kryera nga avokati i mëparshëm. 



Neni 42 



KONKURRIMI I PADREJTË 



Avokati nuk duhet të bëjë asnjë përpjekje, të cilat nuk janë në përputhje me dinjitetin e profesionit për të marrë klientin e kolegut te tij. 



Neni 43 



PËRFAQËSIMI 



Përpara ndërrmarjes të përfaqësimit të një klienti i cili ka qenë i përfaqësuar nga një avokat tjetër, avokati është i detyruar të bindet se marrëdhënia e mëparshme avokat-klient ka përfunduar ashtu siç duhet. 



Kjo dispozitë nuk zbatohet në rastet kur klienti është përfaqësuar nga më shumë se një avokat në të njejtën kohë dhe ndërpret marrëdhëniet e përfaqësimit me njerin. 



Neni 44 



ASISTENT AVOKAT 



Avokati është i detyruar të ndjekë punën e asistenit të tij, të ndajë përvojën me të dhe të mundësojë kualifikimin profesional të tij. 



Avokati duhet të bëjë përpjekje që asistentet të veprojnë në përputhje me ligjin dhe Kodin e Etikës. 




Avokati është i detyruar që me kërkesën e asistentit, të pajisë atë me një çertifakatë që vërteton kohëzgjatjen si asistent pranë tij. 



Neni 45 



MARRËDHËNIA ME AVOKATËT E PALËS TJETËR 



Avokati nuk duhet të perfaqësojë ose këshillojë një klient në çështjet kur avokati i palës tjetër është bashkëshorti/ja prindi, fëmija ose motra a vëllai i avokatit, jeton me avokatin, ose ka marrëdhenie intime personale me avokatin, përveçse kur ky i fundit ka informuar klientin e tij me shkrim mbi këtë marrëdhënie. 



Ky ndalim është i vlefshëm për ortakët e një zyre avokatie dhe ortaket e nje shoqerie. 



Neni 46 



Në çështjet kur interesat e klientit mbrohen nga dy ose më shume avokat që janë të pavarur nga njëri tjetri dhe kur avokatët mbrojnë opinione të ndryshme në lidhje me mundësite për mbrojtjen e klienit, vendimi përfundimtar do të merret nga klienti. Avokatët që nuk pajtohen me vendimin, mund të heqin dorë nga përfaqësimi apo mbrojtja e klientit. 



Neni 47 



MARRËDHËNIET ME AVOKATËT E SHTETEVE TË TJERA 



Avokati ka për detyrë të mos pranoje bashkëpunimin me një avokat i një shteti tjetër për një çështje për të cilën ai nuk është kompetent. Në këtë rast ai duhet të ndihmojë kolegun e tij për të kontaktuar me një avokat tjetër i cili mund të ofroje shërbimin e kërkuar. 



Neni 48 



Kur avokati bashkëpunon me një avokat të një shteti tjetër, është i detyruar të marrë parasysh ndryshimet që mund të ekzistojnë midis sistemeve ligjore dhe kodeve etike përkatëse. 



KAPITULLLI V 



MARRËDHËNIET ME PUBLIKUN 



Neni 49 



Aksesi ne Shërbime 




Çdo person në shoqëri duhet të ketë akses të lehtë në shërbimet profesionale të pavarura të avokatit. 



Neni 50 



PUBLICITETI 



Avokati ka te drejtë të reklamojë aktivitetin e tij, sipas rregullave dhe kufizimeve të përcaktuara në këtë Kod. 

Reklamimi i avokatit ka për qëllim vetëm t’i ofrjë klientit informacionin e nevojshëm në mënyrë që ai të ketë mundësi të zgjedhë avokatin më të përshtatshëm. 

Publiciteti nuk duhet: 



1.që me mjete ose përmbajtje të kundërshtojë parime ose detyrime kryesore të avokatit të  
   përcaktuar në këtë Kod; 



2. të përmbajë informacion të rremë, të pasaktë ose corientues apo faktik i cili nuk mund të 
    verifikohet; 



3. të bëjë krahasime ose të kritikojë avokatë të tjerë, vecanërisht tarifat ose menyen e kryerjes 
    së profesionit prej tyre; 



4. të përfshijë deklarime në lidhje më cilësinë e punës së avokatit, masën e aktivitetit të tij, 
    tarifat speciale; 



5. të identifikojë klientin përpara marrjes së miratimit të tij me shkrim. 



6. çdo informacion tjetër që mund të shkelë dispozitat e këtij Kodi 





Publiciteti mund të përmbajë informacion: 



1. mbi fushat e ligjit në të cilat ushtron aktivitetin avokati; 
2. rreth të kaluarës profesionale dhe formimit professional të avokatit; 
3. rreth njohurive të gjuhëve të huaja; 
4. lidhur me kohen e fillimit te aktivitetit, vendodhjen e selise se tij, ose ndryshimin 
    e saj por jo me shume se 30 dite nga dita qe ka filluar/zhvendosur. 




Neni 51 



KËRKIMI I KLIENTËVE 



Kërkimi i klientëve nëpërmjet një kontaktimi të drejtpërdrejtë me një klient të mundshëm me qëllimin e vetëm për ta bindur atë se ka nëvojë për shërbimet ë një avokati dhe me të cilin/cilën avokati nuk ka lidhje familjare ose lidhje të mëparshme profesionale ose 
nëpërmjet shfrytëzimit të një “sekseri”, është i ndaluar. 




Me përjashtim të çmimit të zakonshëm të publicitetit respektiv avokati nuk duhet t’i japë asgjë me vlerë një personi që rekomandon shërbimet e avokatit 



Neni 52 



DISA VEPRIMTARI TË NDALUARA PËR AVOKATET 



Avokati nuk duhet të arrijë asnjë marrëveshje personalisht ose nëpërmjet një sekseri me klientin e tij për të siguruar pasuri ose të drejta të tjera, të cilat janë subjekt i ceshtjes. 



Neni 53 



TARIFAT REFERUESE 



Avokati nuk duhet të kërkojë ose pranojë nga një avokat ose cdo person tjetër një tarifë, komision ose çdo lloj pagese tjetër për referimin ose rekomandimin e një klienti. 

Një avokat nuk duhet t’i paguajë askujt asnjë tarifë, komision ose çdo lloj pagese tjetër për faktin se i kanë referuar atij një klient. 





Neni 54 

SANKSIONE 



Avokatet që nuk zbatojnë Kodin Etik bëjnë një shkelje disiplinore e cila bëhet shkak për nisjen e proçedimit disiplinor dhe për marrjen e masave që parashikon Ligji Nr. 9109 datë 17.7.2003 “Për Profesionin e Avokatit në Republiken e Shqipërise” dhe Statutin e Dhomës Kombëtare të Avokatisë. 



DISPOZITË E FUNDIT 



Kodi Etik i Avokatit mbasi iu nënshtrua diskutimit në Këshillin e Përgjithshëm të Dhomës Kombëtare të Avokatisë në datën 12.11.2005, u miratua me vendimin nr. 31 te ketij Keshilli. Data e hyrjes në fuqi te Kodit eshte 12.11.2005, dhe çfuqizon kodin e mëparshem etik.